Komisioni për Demarkacionin, Opozita injoron ftesën e Presidentes Jahjaga

Megjithëse janë ftuar që të japin kontributin e tyre në Komisionin për Demarkacion, të krijuar nga presidentja Atifete Jahjaga, partitë opozitare vazhdojnë t’i injorojnë ftesat e tilla.

E arsye për këtë mbetet përjashtimi i ekspertëve vendorë nga Komisioni. Madje kanë dyshime edhe për punën e personave të angazhuar në këtë komision si ekspertë.Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi tha për KosovaPress se përderisa nuk ka një komision ekspertësh, që do të duhej të përfshinte edhe ekspertët vendorë, të cilët kanë publikuar të gjitha faktet, për gabimet që janë bërë dhe për faljen e mbi 8 mijë hektarëve, opozita nuk mund të jetë pjesë e një Komisioni të tillë.
E vetmja rrugë për të kryer një proces të mirëfilltë të Demarkacionit sipas Çaushit, mbetet anulimi i marrëveshjes paraprake dhe formimi i një komisioni të mirëfilltë, i cili do të përbëhej nga ekspertë vendor dhe i cili do të përdorte dhe metoda tjera. Pasi që metodat që janë përdorur deri më tani, nëse vazhdojnë t’i përdorin prapë në të njëjtën formë, sipas Çaushit do të nxjerrin rezultate të njëjta.Nënkryetari i Vetëvendosjes thotë se do t’i pranojnë rezultatet për Demarkacion, vetëm atëherë kur puna bëhet nga ekspertë, duke përfshirë këtu dhe ata vendorë.Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi, tha për KosovaPress, se së pari duhet të shkarkohej Komisioni paraprak për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Qeveria ta tërheq nënshkrimin dhe të jap llogari për këtë, duke dhënë edhe dorëheqje. E vetëm atëherë, siq thotë Isufi, ata si opozitë do ta japin kontributin e tyre rreth kësaj çështje.Komisioni me ekspertë ndërkombëtarë është formuar nga presidentja Atifete Jahjaga, për rishikimin e përcaktimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, proces që po kontestohet nga opozita me protesta dhe gaz lotsjellës në Kuvend. Komisioni ad- hoc pritet që brenda dy javëve t’ia dorëzojë Jahjagës raportin për Demarkacionin. Gjatë këtyre dy javëve është ftuar edhe opozita të jap kontribut në rishikimin e çështjes së Demarkacionit, por gjithashtu do të ketë konsultime edhe me përfaqësues të Malit të Zi.Komisioni ad-hoc i formuar nga Jahjaga përbëhet nga një amerikan, gjerman dhe britanez.