8 vjet nga Gërdeci, asnjë i pandehur në burg, familjarët e viktimave enden gjykatave

Tragjedia e shpërthimit të 15 marsit të vitit 2008  vetëm pak km larg kryeqytetit në fshatin Gerdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë sot nuk ka asnjë fajtor ne burg. 29 të pandehur ja dolën duke shfrytëzuar hapësirat ligjore, që sot të jenë të lirë. Gjykata nuk u bind nga provat dhe akuza e Prokurorisë për vrasje me dashje dhe i gjithë gjykimi përfundoi me akuzën vrasje nga pakujdesia si pasojë e një aksidenti teknologjik. Për ngjarjen  e rëndë ku u ndërthurën bashkë interesa politike, financiare dhe diplomatike, familjarët kërkojnë ende drejtësi. Kur kanë kaluar 8 vjet nga ngjarja e rëndë në Gërdec, ku nga shpërthimi i një fabrike demontimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën  qindra të tjerë, asnjë nga të pandehurit  nuk ndodhet prapa hekurave.Duke përfituar kush nga amnistia dhe kush nga lirimet para kohe me kusht, të gjithë të pandehurit  kanë fituar lirinë,  ndërsa i vetmi që ndodhet në kërkim është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, i cili u arratis në Amerikë.Ngjarja e rëndë ndodhi  të shtunën  e 15 marsit të 2008-ës, në një "fabrikë" për demontimin e armëve në fshatin afër Vorës,  pikërisht në orën  12:05 të mesditës.Pas shumë seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë së me 12 mars te vitit 2012,  tre  ditë  para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes "Gërdeci", dënime të cilat ishin disa herë më të ulëta se ato që kishte kërkuar prokurori, mes të cilave edhe tre burgime për jetë.Asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes,  pasi ngjarja u konsiderua si gabim njerëzor.Përgjegjësia për ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u zgjidh edhe më shpejt se dosja për të akuzuarit e tjerë pasi çështja u mbyll në Gjykatën e Lartë në  shtator te vitit 2009 pa asnjë vendim, ku Mediu fitoi mandantin e deputetit dhe bashkë me të dhe imunitetin që e ruajti nga gjykimi.Sipas vendimit të gjykatës, ish-Drejtori i fabrikës Dritan Minxolli u dënua me 18 vjet burg, ish-Drejtori i MEICO, Ylli Pinari po me 18 vjet burg, kurse administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.Dënimet për të pandehurit e tjerë ish-ushtarakë varjonin nga tre deri në pesë vite burg.Por këto dënime u përgjysmuan pas apelimit, pasi Gjykata e Shkallës së Dytë u njohi të pandehurve uljen e një të tretës së dënimit.Ndërkohë që të vetmit që kanë vijuar të enden nëpër gjykata kanë qenë familjarët e Gërdecit, të cilët kanë kërkuar disa herë rihapjen e çështjes,  kërkesë që u është  refuzuar nga Prokuroria.Disa prej tyre kanë përfituar dëmshpërblim, ndërkohë që të tjerë familjarë  janë mjaftuar  vetëm me dëmshpërblimin e dhënë nga shteti.