"Mandati", Kokëdhima: Ruçi më tha se çështja hyn automatikisht në seancë

Sikurse kishte paralajmëruar në intervistën në “Tonight Ilva Tare”, deputetit Koço Kokëdhima ka kërkuar sot arsyetime nga kreu i grupit palamentar, Gramoz Ruçi se përse nuk ishte njoftuar se votimi për të dërguar në Kushtetuese mandatin e tij, do të bëhej seancën e shkuara.Burime nga grupi, i konfirmuan Ora News se Z.Ruçi i është përgjigjur Kokëdhimës me argumentin se votimi të enjten është bërë në zbatim të ligjit dhe rregullores së parlamentit dhe se grupi nuk mund të votonte kundër vendimit për ta çuar çështjen në Kushtetuese. Ndërkohë, sot ka ardhur edhe reagimi i parë për kërkesën e deputetit Pandeli Majko për zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet reforma në drejtësi. Deputeti, Ben Blushi, tha se këtë kërkesë e bëjnë ata që duan ta shohin PS në opozitë. Mbledhja e kësaj të marte e grupit parlamentar socialist i është larguar toneve të larta që e shoqëuan javën e shkuar, megjithatë debatet nuk kanë munguar.Në qendër të tyre, sikurse kishte paralajmëruar në intervistën në emisionin “Tonight Ilva Tare”, ka qenë deputeti Koço Kokëdhima dhe votimi i seancës së të enjtes, për të dërguar në Kushtetuese kërkesën për ti hequr mandatin.Kokëdhima: Unë nuk kisha dijeni që çështja do të diskutohej ditën e enjte në Kuvend. Unë e mora vesh këtë çështje 15 minuta përpara se të fillonte votimi.Unë do ti kërkoj shpjegime për këtë çështje sigurisht, por nuk kam pasur shumë kohë në dispozicion.Për këto pikëpyetje, Kokëdhima i ka kërkuar arsyetim në mbledhjen me dyer të mbyllura kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.Kokëdhima: Kam shpjeguar dje tek Ilva, e bëmë diskutimin edhe për këtë çështje sot. Kryetari i grupit më shpjegoi se kjo është një çështje që hyn automatikisht në seancë, prandaj dhe nuk ka qenë e mundur që të bëheshin sqarime më përpara për këtë çështje.Sa i përket vendimit të grupit të PS-së për të votuar pro dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, Ruçi mësohet të jetë shprehur se grupi parlamentar nuk mund të votonte kundër kërkesës së Gjykatës.Por kjo mbledhje solli dhe reagimin e parë në radhët e socialistëve për kërkesën e deputetit Pandeli Majko për zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet reforma në drejtësi.Përgjigjia erdhi nga deputeti Ben Blushi, i cili tha se zgjedhjet e parakohshme i kërkojnë ata që duan ta shohin PS-në larg qeverisjes.Ben Blushi: “Kushdo që do ta çojë PS në opozitë propozon zgjedhje të parakohshme, sepse zgjedhjet e parakohshme sot, këtë përfundim mund të kishin. Nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme pa koalicionin që kemi.   Nëse zgjedhjet e parakohshme janë kërcënim për të prishur koalicionin përfundimi i saj është opozita por unë nuk jam i prirur ta marr seriozisht.  Nëse e marr seriozisht është ky përfundimi në të cilin unë dal për të thënë që nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme meqë nuk ka vota për reformën në drejtësi, çfarë garancie ka që parlamenti i ardhshëm i ka votat. Kush është garancia që parlamenti i ardhshëm i ka votat.   Kush është garancia që zgjedhjet e parakohshme e bëjnë më të lehtë miratimin e reformës në drejtësi nga ai parlament i ri? E dyta kini parasysh që nuk po jetojmë në ditët më të lumtura në kuptimin ekonomik. Pra zgjedhjet e parakohshme  janë bërë që të trembin zgjedhjet. Jemi sot në deflacion dhe kjo nuk është mënyra më e mirë për t’i thënë tregjeve apo investitorëve që për një apo dy muaj ka zgjedhje si një lojë me peta brenda koalicionit”.Ndërkohë vetë deputeti Pandeli Majko ka refuzuar ti përgjigjet në mënyrë të përsëritur interesit të gazetarëve, duke u mjaftuar me komentin në fb për kërkesën e tij.