Clinton me Berishën: E lumtur që ndodhem në Tiranë për 100-vjetorin

Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton  është takuar sot me kryeministrin e vendit Sali Berisha ku ka deklaruar se ndihet shumë e lumtur që ndodhet në Tiranë në ditën e parë të muajit të festimeve për 100 -vjetorin e shtetit shqiptar.“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme” tha Klinton.Nga ana e tij, kryeministri Berisha theksoi se vizita e sekretares Klinton është historike sepse përkon me një përvjetor të madh të vendit, 100 vjetorin e pavarësisë. “Në këtë kontekst, ju siguroj se për çdo shqiptar prezenca juaj, sot, është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës vendit tuaj, juve, qeverisë suaj, sepse gjatë 100 viteve ia dolëm të triumfojmë në situatat më të vështira dhe ne jemi sot, një komb i lirë se kemi pasur privilegjin të kishim rolin përcaktues të kombit tuaj, qeverisë dhe vendit tuaj. Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen më të ngrohtë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët” tha Berisha.