Clinton sot në Tiranë, blindohet kryeqyteti nga masat e sigurisë
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Clinton viziton sot Tiranën, nën masa të rrepta sigurie.Sekretarja Clinton do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe rrugëtimi i saj drejt kryeqytetit do të shoqërohet nga qindra policë shqiptarë dhe agjentë sigurie amerikanë, që do të blindojnë jo vetëm rrugën por edhe pjesën më të madhe të Tiranës.Policia ka marrë masa të rrepta duke filluar që nga ora 22 e mbrëmjes së të mërkurës, ku do të ndalohet parkimi në itinerarin Rinas, Qafë Kashar, rrethrrotullimi i Doganës, unaza e re, pallati me shigjeta, bulevardi "Bajram Curri". hotel Dajti, rruga e Elbasanit, Pallati i Brigadave, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, bulevardi "Xhorxh Bush" dhe bulevardi Zhan Dark.Takimin e parë zonja Clinton do ta zhvillojë në Pallatin e Brigadave me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ku do të marrë edhe dekoratën më të lartë, atë të “Urdhërit të Flamurit”.Pas takimit me kreun e shtetit, zonja Clinton do të ketë një takim me kryeministrin Sali Berisha ndërsa në mesditë sekretarja amerikane e Shtetit do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë plenare.Pas kësaj, zonja Clinton do të ketë ndalesën e fundit në hotel Sheraton, ku do të takohet me kryetarin e opozitës Edi Rama, e më pas me stafin e ambasadës amerikane, që do të jetë edhe takimi i fundit i saj.Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton është e katërta drejtuese e departamentit të Shtetit që vizton Shqipërinë që pas viteve 90.I pari që shkeli në Tiranë, në 1991 ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker. Ai pati një pritje madhështore në Shqipërinë e sapo dalë nga mbi 45 vjet izolim të plotë komunist.Vizita e dytë do të ishte pas afër 10 vitesh, në 2000, ajo e zonjës Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në 2003 do të vinte sekretari i atëhershëm Kolin Pauëll, vizitë e cila do të vinte bazat e anëtarësimit të mëpasshëm të Shqipërisë në NATO.Ndërsa ngjarja më kulmore në marrëdhëniet mes dy vendeve është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W Bush, i cili nga Tirana paralajmëroi pavarësinë së Kosovës.