Kreu i bashkisë, Erion Veliaj paguan gjobën ndaj tregtares ambulante
Bashkia e Tiranës reagoi pas një fotoje të publikuar në rrjetet sociale se policia bashkiake ka gjobitur një tregtare ambulante. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Bashkia sqaron se rasti u denoncua nga qytetarët pasi ishin zënë hapësirat publike. Po ashtu bashkia njoftoi se gjobën prej 500 lekësh të vendosur nga policia për tregtaren e moshuar do ta paguajë Erion Veliaj."Lidhur me rastin e gruas së moshuar, e cila u gjobit sot nga Policia Bashkiake për tregtim të produkteve ushqimore në trotuar, duke bllokuar hyrjen e shkallëve të një pallati, Bashkia e Tiranës dëshiron të informojë opinionin publik se rasti në fjalë ishte denoncuar nga vetë banorët e pallatit, të cilët kërkonin lirimin e hapësirës nga shitësit që tregtonin prej kohësh produktet e tyre ushqimore aty, edhe pse vetëm pak metra më tutje ndodhet tregu i Njësisë Administrative nr.10, i cili aktualisht është bosh. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vendosur që ta shlyejë ai gjobën prej 500 lekësh, që Policia Bashkiake vendosi sot ndaj gruas së moshuar."Veliaj bën thirrje: Tregtoni në 16 tregjet e bashkisëBashkia e Tiranës i ka bërë thirrje të gjithë tregtarëve që të shfrytëzojnë 16 tregjet e bashkisë dhe jo të shesin në rrugë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Bashkia thekson se po punon për lirimin e hapësirave publike.“Duke u nisur nga rasti që po qarkullon së fundi në mediat sociale, mbi aksionin e Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave të zëna publike dhe disiplinimin në tregje të posaçme të tregtarëve që shesin në rrugë e trotuare, Bashkia e Tiranës gjen rastin të informojë dhe t’u bëjë edhe një herë thirrje tregtarëve që vijnë nga jashtë Tiranës, që për të tregtuar produktet e tyre të shfrytëzojnë një nga 16 tregjet ekzistuese të bashkisë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.Po ashtu bashkia informon se nesër do të përurojë tregn e parë me standard në Njësinë Administrative nr.3.“Bashkia e Tiranës po punon çdo ditë për krijimin e më shumë tregjeve me standarde në higjienë e infrastrukturë, në mënyrë që askush të mos detyrohet të shesë më nëpër rrugët e trotuaret e qytetit. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të përurojë nesër tregun e parë të këtij lloji në Njësinë Administrative nr. 3, si dhe po publikon edhe hartën e 16 tregjeve (bashkëlidhur) që ndodhen në gjithë qytetin e Tiranës”, sqaron bashkia.