Ekspertja e BE: Korrupsioni në Shqipëri, shkaktar kryesor i emigracionit

Numri i lartë i azilantëve që janë larguar nga Shqipëria lidhet direkt me korrupsionin në vend. Ekspertja për mirëqeverisje në BE, Alina Mungiu-Pippidi, ka analizuar fenomenin  e korrupsionit në vendet e Ballkanit ku ka konstatuar se sa më i lartë është ky fenomen aq më e lartë është edhe përqindja e largimit të qytetarëve, e sidomos e intelektualëve.Mungiu nxjerr në pah raportin e TI ku Shqipëria renditet në fund të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në BE përsa i përket nivelit të lartë të korrupsionit.Alina Mungiu-Pippidi: “Një arsye kryesore pse njerëzit largohen nga vendi i tyre, me përjashtim të një lufte civile, është  korrupsioni. Njerëzit e braktisin shoqërinë, kur ajo nuk është një shoqëri e bazuar mbi meritat.”Ekspertja thekson ndër të tjera se problem për vendet e Ballkanit mbetet mungesa e vullnetit politik për të ndryshuar situatën.Alina Mungiu-Pippidi: Njerëzit që drejtojnë janë ata që nxjerrin përfitimin më të madh dhe nuk është realisht në avantazhin e tyre të nxisin progresin e vendit dhe konkurencën.”Një tjetër shqetësim që ngrihet nga ekspertja e BE për mirëqeverisjen është fakti se sa më i lartë të jetë indeksi i korrupsionit në vend aq më shumë prokurime publike shpallen nga qeveria.Për masat e kontratave publike që jepen në mënyra favorizuese sipas disa vlerësimeve arrijnë në 68% në vendet e Ballkanit shumë herë më e lartë se në vendet e Europës Perëndimore.