Armët pa leje, Tahiri premton amendime të reja të ligjit
Ministria e Brendshme nuk do të tërhiqet nga ashpërsimi i dënimit për armëmbajtje pa leje pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila shfuqizoi disa nene të këtij ligji me argumentin se kishte shkelje të të drejtave dhe lirive të individëve.Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, thotë se do të propozojë amendamente të tjera për të ashpërsuar dënimin për këtë vepër penale.Tahiri: Ne jemi shumë të vendosur që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme në kohë për të larguar shoqërinë nga zgjidhja e konflikteve me armë. Sot ka plot raste. Unë para dy ditësh i kam adresuar një letër Presidentit të Republikës, Ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së. Ka raste kur gjyqtarët bëjnë çudira me vendimet ndaj atyre që kapen me armë pa leje.Po ndërsa po përpiqet të rregullojë mospajtimet me Gjykatën Kushtetuese për ligjin e armëmbajtjes, ministrit të Brendshëm do t’i duhet të riparojë një tjetër raport, këtë herë politik, atë me LSI lidhur me ligjin e masave shtesë të sigurisë publike për vendosjen e kamerave të sigurisë.Në votimin e së enjtes në parlament ky draft ligj u votua kundër nga 14 deputetë të LSI, por jo nga kryetari Ilir Meta. Ministri Tahiri u përqëndrua te rezultati final, pra i miratimit të ligjit pavarëisht nga vota kundër e LSI.Tahiri: Kam përshtypjen që e keni gabim. Ligji u votua. Është një ligj shumë i domosdoshëm i cili shton sigurinë dhe kapacitetin parandalues për ngjarjet kriminale nga njëra anë. E nga ana tjetër shton mundësinë që Policia të hetojë më së miri e sa më thellë ato.Ligji parashikon që bizneset që rezultojnë me të ardhura mbi 10 mln lekë në vit të vendosin kamera sigurie. Kamera sigurie do të kenë edhe taksitë, autobusët apo lokalet që mbartin më shumë se 50 klientë, institucione publike si kopshte apo shkolla. Nuk përjashtohet mundësia që kamera të ketë çdo pallat dhe çdo park lojërash.Fatura nga buxheti i shtetit për kamerat pritet të jetë mbi 100 mln euro.