800 euro për provimin e Akademisë së Policisë, Policia arreston dy persona
Teksa janë shpallur datat e konkurrimit për në Akademinë e Policisë, në punë janë vënë edhe sekserët.Dy persona kanë përfunduar në pranga, pasi kanë mashtruar një shtetas se do t’i jepnin të gatshëm testimin për të fituar këtë shkollë dhe se do të ndërhynin pranë komisionit përkatës.Të arrestuarit janë Gëzim Metalia dhe Rexhep Rexha, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Ata i kanë marrë një shumë prej 800 eurosh një shtetasi me iniciale B.L.Sipas Ministrisë së Brendshme, edhe dy persona të tjerë po procedohen penalisht për veprat penale "Korrupsion pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Mashtrimit" në bashkëpunim.Hetimet ndaj tyre u zhvilluan përgjatë dy muajve, ku u dokumentua edhe vepra e kundraligjshme. Këta shtetas kishin organizuar ketë skemë mashtrimi, që synonin ta përdornin edhe ndaj aplikantëve të tjerë në Akademinë e Sigurisë.“Nga kontrolli i banesës dhe ambienteve të tjera, në pronësi të shtetasit Gëzim Metalia, u gjetën dhe sekuestruan 10 karta SIM si dhe dokumente të ndryshme, të cilat e implikojnë atë në veprimtari të kundërligjshme. Ndërkohë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijojnë hetimet për sqarimin e pozicionit dhe rolit të secilit prej shtetasve të dyshuar”, sqaron Ministria.Pas deklaratës, nuk rezultojnë raste të mundshme të përfshirjes së punonjësve të Policisë apo zyrtarëve të tjerë të ngarkuar për realizimin dhe monitorimin e procesit të konkursit për në Akademinë e Sigurisë./Ora News/