Përkujtohet Adem Jashari,Veliaj: Betejat për liri duhet të vazhdojnë çdo ditë

Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Kosovës kanë përkujtuar  18 vjetorin e Ditës së Rënies së heroit legjendar të Luftës së Kosovës, Adem Jashari.Kryetbashkiaku, Erjon Veliaj, vendosi kurorën me lule në nder dhe kujtim të veprës së Adem Jasharit në përpjekje për çlirimin e Kosovës.Veliaj: “Sot, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për sakrifica të përditshme, për të shtyrë përpara amanetin e atyre që dhanë gjënë më të çmuar, për të parë ditë të bardha dhe për një komb më të begatë në të dy anët e kufirit”.Ambasadori kosovar në vendin tonë, Ramiz Lladrovci, teksa vlerësoi figurën e komandantit legjendar, falenderoi Shqipërinë për vlerësimin që i bënë heronjve të Luftës së Kosovës.Lladrovci:“Bashkë me kryetarin dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes jemi këtu për të respektuar kujtimin e veprës dhe jetës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Kështu që, unë i përgëzoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku janë, që këtë ditë ta kujtojmë për jetë e mot”.Në aktivitetin përkujtimor mori pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, anëtarë të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Tiranës dhe Shoqatës së ish-Luftëtarëve Shqiptarë në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.