Pronarët e automjeteve, asnjë shit-blerje për ata që kanë detyrime të prapambetura

Të gjithë ata qytetarë që tashmë duan të shesin një automjet ose duan të ndërrojnë pronësinë tashmë  janë të detyruar që të plotësojnë një dosje  me dokumenta dhe të nënshkruajnë kontratën tek noteri. Udhëzimi i cili sapo ka hyrë në fuqi është ndërmarrë në kuadër të luftës anti-informalitet por edhe si rezultat i shtimit të rasteve  te moshlyerjes se detyrimeve  tatimore edhe kur makina është shitur.Shmangia e detyrimeve tatimore nga qytetarët në rastet e ndërrimit të pronësisë së një automjeti  kanë detyruar ministrinë e Transporteve që të  kërkojë një dosje më të plotë me dokumenta. Kjo masë është marrë në kuadër të luftës anti-informalitet  dhe parashikon që të mos bëhet asnjë shit-blerje automjetesh pa verifikuar më parë nëse automjetet kanë detyrime të papaguara .Nikolin Bërxhiku, specialist i MTI: Ishin krijuar probleme me transaksionet e shitjes së mjeteve sepse jo vetëm që nuk evidentoheshin saktë pronarët e rinj të mjetit dhe dokumentacioni ishte i mangët kur kryheshin këto transaksione tek noterët, por edhe detyrimet financiare që barteshin nga blerësi i vjetër tek i riu vazhdonin dhe njerëzit nuk e dinin akoma mbi detyrimet e taksave sepse nuk paraqiteshin në Drejtorinë e Transportit Rrugor për të bërë përditësimin e lejes së qarkullimit që evidenton pronarin e ri të mjetit. Është në detyrimin e kodit rrugor brenda 10 ditësh kur shitet mjeti që duhet bërë edhe ky përditësim i lejes së qarkullimit dhe njerëzit e neglizhonin këtë gjë.Nëse këto  kërkesa nuk do të zbatohen atëherë në udhëzim parashikohen edhe masa penalizuese.Nikolin Bërxhiku, specialist i MTI: Për të gjithë ata që nuk i kryejnë këto detyrime në kodin rrugor ishin të parashikuara penalitete financiare dhe probleme të tjera në qarkullim nëqoftëse nuk do të kryhen siç dhet këto veprime.Udhëzimi ndër të tjera ka shtuar edhe elementet e kontratës noteriale, e cila duhet të përmbaje gjeneralitetet e plota të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit, adresat e vendbanimit të personave në cilësinë e shitësit dhe blerësit, të dhënat teknike të mjetit,  dhe  mbi të gjitha detyrimet financiare ndaj drejtorisë Rrugore./Oranews.tv/