Kriza e klandestinëve, Shqipëri-Itali marrëveshje për shkëmbim informacioni

Shqipëria dhe Italia bien dakort të rrisin shkëmbimin e informacioneve në kohë reale dhe të forcojnë bashkëpunimin operativ në kuadër të masave për krizën e klandestinëve.Gjatë vizitës në Itali në takim me homologun e tij, Angelino Alfano, Ministri Tahiri konfirmoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të vendosur mekanizmat e menjëhershëm dhe të frytshëm të bashkëpunimit në kuadër të parandalimit dhe menaxhimit të fluksit të emigrantëve, që konsiston në pjesëmarrjen shqiptare në patrullimin detar në kuadër të “Triton” dhe mbështetjen nga pala italiane për ngritjen e qendrave të pritjes dhe identifikimit të emigrantëve në territorin shqiptar.Ministrat ranë dakord për:-Përforcimin e nivelit të bashkëpunimit dhe asistencës teknike dhe trajnuese, edhe përmes furnizimit të mjeteve dhe aparaturave të përdorura në aktivitetin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit, për t’u vënë në zbatim menjëherë në ditët në vijim;-Finalizimin e shpejtë të projektit të Memorandumit të Bashkëpunimit që synon të promovojë dhe përforcojë bashkëpunimin e ndërsjelltë operativ mes forcave policore të Palëve Kontraktuese në sektorin e sigurisë, të parandalimit të terrorizmit, në sektorin e kufijve dhe emigrimit, luftës kundër emigrimit të paligjshëm dhe trafikut të emigrantëve.