Ministrat Klosi e Kodheli apel për rritjen e rolit të grave në vendimmarrje

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Ministri Blendi Klosi bënë apel për rritjen e rolit të gruas në shoqëri. Për Ministren e Mbrotjes sfidë mbetet përfshirja  dhe përfaqësimi i grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në hartimin e politikave si dhe në zbatimin e tyre. Deklaratat u bënë gjatë aktivitetit “Të drejtat e grave nga koncepti në realitetin shqiptar".Rritja e rolit të gruas në fushën e paqes dhe sigurisë si dhe mbrojtja e këtyre të drejtave nga legjislacioni i huaj dhe vendas ka qenë qëllimi i aktivitetit, ku të pranishëm ishin Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.Për Ministren Kodheli, përfshirja dhe përfaqësimi i grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në hartimin e politikave si dhe në zbatimin e tyre mbetet sfidë kryesore.Sipas saj, sot përqindja e femrave ushtarake në Forcat e Armatosura ka shkuar në 13.6% duke synuar që në vijim të shkojë deri në 15%.Kodheli: Nuk mund të fitojmë nëse lëmë jashtë loje gjysmën e ekipit. Ajo çka është thelbësore në arritjen e kësaj sfide është ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë dhe vullnetit politik, rritja e ndërgjegjësimit të shoqërisë sonë mbi rolin e gruas në shoqëri si dhe fuqizimi i shoqatave të grave. Politikat e ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes për rritjen e përfaqësimit të femrave në FA, shprehen në një sërë dokumentesh strategjikë, ku ne angazhohemi të arrijmë, pse jo dhe të tejkalojmë nivelin prej 15% të përfaqësimit të femrave në FA. Kam inkurajuar vajzat e reja të bëhen pjesë e FA. Procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e oficerëve për ndjekjen e akademive apo kolegjeve ushtarake janë ligjërisht të barabarta dhe sigurojnë të njëjtat mundësi si për femrat dhe për meshkujt ku procedurat e përzgjedhjes bazohen tek merita.Projekti "Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar" i "Shoqatës së Grave me Probleme Sociale" dhe "Operation 1325", mbështetur nga Ambasada e Vendeve të Ulëta, do të zbatohet për një periudhë 18 mujore dhe do të shtrihet në qarqet Korçë, Durrës dhe Elbasan.