Ndihma ekonomike, Shërbimi Social: Duhet të ndryshojnë kriteret
Drejtorja e Shërbimit Social në Vlorë kërkon ndryshimin e ligjit për skemën ekonomike. Sipas Ines Stasës, ka shumë familje në nevojë që nuk përfitojnë, pasi nuk përmbushin dot të gjitha kriteret.Jo të gjitha familjet në nevojë mund të përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike. Deklarata është bërë nga Drejtorja e Shërbimit Social në Vlorë Ines Stasa, e cila thotë se ligji aktual duhet të përmirësohet pasi jo të gjitha familjet arrijnë të plotësojnë kriteret për përfitimin e ndihmës sociale, pavarësisht kushteve ku jeton.Ines Stasa: “Janë paksa diskriminuese për hir të vërtetës sepse shumë prej familjeve që kanë mungesa dhe që nuk i plotësojnë të gjitha kërkesat apo nevojat që ata kanë për një jetesë minimale.Ne mundohemi të ushtrohemi me organizatat me bizneset për t’i ndihmuar ato familje sepse edhe pagesa qe ata marrin në sistemin e ndihmës ekonomike nuk besoj se mjafton për të patur një jetesë minimale dhe për të plotësuar të gjithë nevojat bazike që ata kanë për familjet e tyre”.Ndërkohë Stasa ka shpjeguar se gjatë inspektimeve në terren janë konstatuar edhe një sërë abuzimesh me skemën, për të cilat po ndiqet penalisht dhe një punonjës i shërbimit social. Aktualisht në Vlorë përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike 1400 familje dhe 4800 persona me aftësi të kufizuar./Oranews.tv/