Mustafa: Shpëtuam vendin nga anarkia, asnjë presion deputetëve për Presidentin

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka mohuar se ka bërë presion tek deputetët e LDK-së që ta votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës.

Në lidhje me këtë kryeministri tha sot, se me zgjedhjen e presidentit kanë evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do ta qonin vendin në anarki.Kryeministri Mustafa, ka folur dhe për akuzat që opozita po bën ndaj koalicionit qeveritar, sa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit.Mustafa tha se askush nuk u frikësohet zgjedhjeve të reja, por se nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.Mustafa: Sa i përket deputetëve, ne asnjë presion te deputetët nuk e kemi zhvilluar. Deputetët votojnë vetë. Ata kanë votuar për atë dhe me bindje të plotë të deputetëve është zgjedhur presidenti i Republikës së Kosovës. Ne në këtë rast e kemi zgjedhur presidentin, sepse është dashur të zgjidhet presidenti i vendit. Kemi siguruar kontinuitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës, e kemi shpëtuar vendin nga shkuarja në zgjedhje të reja të cilat do të na qonin në anarki. Sepse nuk ka kushte të mbahen zgjedhje të reja. Për ndryshe, po të kishte kushte askush nuk i frikësohet zgjedhjeve.Ndërsa thotë se opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, që t’i verifikojë akuzat e saj, sipas të cilave procesi i zgjedhjes së presidentit ka qenë antikushtetues. Ndërsa thotë se ky proces ka qenë transparent dhe krejtësisht kushtetues.Mustafa: Tash opozita mund t’i verifikojë akuzat e saj. Askush nuk e ndalon. Mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Unë për vete kam qenë aty dhe kam parë një proces krejtësisht kushtetues, me pjesëmarrje të deputetëve që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe me një demokraci shumë transparente. Procesi ka qenë shumë transparent. Në qoftë se dikush gjen ndonjë dobësi në atë proces, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.E duke komentuar situatën pas zgjedhje së presidentit, ku cak i sulmeve kanë qenë zyrat e LDK-së, Mustafa tha se brenda LDK-së nuk ka asnjë problem.Ai tha se probleme ka jashtë LDK-së, të cilës po mundohen të ia faturojnë të gjitha llogaritë.Mustafa: Gjendja në LDK është e shkëlqyeshme. Brenda LDK-së nuk ka asnjë problem. Ka problem jashtë LDK-së, sepse po e sulmojnë LDK-në dhe po tentojnë që të gjitha llogaritë t’ia faturojnë LDK-së. Është e padrejtë, sepse LDK-ja në këtë rast është një parti shtet formuese. Parti e cila ka përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe njerëzit tanë në Kuvend dhe jashtë Kuvendit e kanë bërë atë.