Meta pret Presidenten e Maltës: Në 2017, Shqipëria do ketë një aleat të fortë në BE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Presidenten e Republikës së Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca dhe deleagacionin  e Ministrave që e shoqëronin.Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Presidentes së Maltës, Meta u shpreh se Shqipëria dhe Malta si dy vende me karakteristika të ngjashme dhe dy vende mesdhetare kanë shumë të përbashkëta, dhe në këtë drejtim kanë shumë potenciale shkëmbimesh dypalëshe.Kryeparlamentari shqiptar e vlerësoi vizitën e Presidentes së Maltës në Tiranë si një sinjal të fortë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.Presidentja e Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca, duke vlerësuar marrëdhëniet politike mes dy vendeve, theksoi se ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet dypalëshe të intensifikohen në mënyrë konkrete, veçanërisht në fushat e turizmit mjekësor, transportit maritim, arsimit dhe turizmit kulturor.Duke shprehur mbështetjen e Maltës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, Presidentja Marie-Louise Coleiro Preca vuri në dukje se gjatë Presidencës malteze të Bashkimit Evropian në vitin 2017, Shqipëria do të ketë një aleat të fortë në gjirin e BE-së.Në përfundim, Kryetari Meta dhe Presidentja Coleiro Preca ndanë bindjen se dy parlamentet duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre, veçanërisht në kuadër të përgatitjes për etapat e ardhshme të procesit të integrimit evropian.