Parandalimi i përmbytjeve, Peleshi në Novoselë: 17 projekte në gjithë vendin

Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, nga Novosela e Vlorës i ka bërë apel pushtetit vendor të hartojë projektet e nevojshme dhe  të aplikojnë për të përfituar nga fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për të parandaluar përmbytjet.Peleshi: Në gjithë këto vite, kemi kaluar vijën e kuqe, i kemi prishur natyrës ekuilibrat e veta. Në këtë zonë pranë Novoselës,  po bëhet një punë e madhe, si pjesë e projektit prej 17 veprash, në të gjithë vendin të mundësuar nga financimet e BE dhe qeverisë shqiptare për të rehabilituar dhe për të parandaluar - me disa ndërhyrje në argjinatura kryesisht, - përmbytjet potenciale. Ne mbrojmë 5 mijë hektarë tokë dhe rreth 12 mije familje. Inkurajoj pushtetin vendor, të gjitha institucionet që të përgatitin në kohë projekte të sakta teknike dhe ti aplikojnë në fondet tona, siç  është fondi prej 25 milion dollar i përmbytjes dhe kullimit.Ndërsa inspektoi dy projektet në këtë zonë që janë drejt përfundimit, Peleshi tha se të enjten pritet të kalojë në Kuvend moratoriumi i pyjeve duke paralajmëruar sanksione shumë të ashpra për shkelësit e kësaj nisme.