Sekretari amerikan Kerry javën e ardhshme në Rusi

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të vizitojë javën e ardhshme Rusinë ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij Sergei Lavrov si dhe me Presidentin Vladimir Putin. Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Lavrov janë takuar disa herë më parë gjatë muajve të fundit, por ky do të jetë udhëtimi i parë i tij në Rusi."Vizita ishte e nevojshme prej kohësh. Mirëpres diskutimet për këtë gamë temash që nga Siria e deri tek Irani dhe takimi i ardhshëm i G8” ka theksuar Kerry.Lidhur me Sirinë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me mënyrën e reagimit ndaj luftës atje. Rusia dhe Kina kanë përdorur vazhdimisht të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar marrjen e masave më të ashpra nga Kombet e Bashkuara kundër Presidentit sirian Bashar al-Asad.Rusia furnizon me armë ushtrinë e Presidentit Asad. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera mbështesin opozitën siriane, megjithëse Uashingtoni thotë se nuk ka ofruar furnizime me armë.Gjithashtu gjatë vizitës së tij në Rusi, Kerry mund të bisedojë me autoritetet ruse edhe për pezullimin e birësimit të fëmijëve rusë nga prindër amerikanë dhe hetimet që vazhdojnë lidhur me çeçenët që dyshohen për lidhje me shpërthimet në Maratonën e Bostonit muajin e kaluar. Një nga të dyshuarit ishte për vizitë në Republikën e Dagestanit vjet për të marrë një pasapartë të re ruse.