OBSH jep alarmin për virusin Zika, mund të preken 3-4 milionë persona
Organizata Boterore e Shëndetësisë ka bërë me dije se niveli i alarmit për virusin Zika është shumë i lartë, duke nënvizuar numri i të prekurve mund të arrijë nga tre deri në katër milionë persona.Në një deklaratë për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës, Margaret Chan ka shprehur shqetësimin e saj duke thënë se virusi është përhapur tashmë në 23 vende ndërkohë që ende nuk ka një vaksinë për parandalimin e përhapjes së tij.Drejtuesit më të lartë të OBSH-së janë thirrur në një takim urgjent që do të mbahet ditën e hënë ku do të diskutohet edhe strategjia që do të ndiqet për të luftuar virusin Zika-n.Vetëm gjatë ditëve të fundit, autoritetet shëndetsore në Europë kanë konfirmuar se disa pacientë kanë rezultuar të infektuar. Deri më tani, 4 raste janë regjistruar në Itali, dy në Britaninë e Madhe dhe një në Danimarkë. Sipas burimeve zyrtare, këta persona kanë vizituar më parë vende të ndryshme të Amerikës Jugore.Zika është virusi i radhës që po fut në panik botën, teksa gjurmët e Ebolas janë ende të freskëta në vendet e Afrikës Perëndimore. Shkencëtarët amerikanë kanë dhënë alarmin se virusi ka potencialin për tu kthyer në një pandemi globale.Zika përhapet kryesisht nëpërmjet mushkonjave teksa simptomat e saj janë dhimbja e kokës, ethet, marrja e mendve etj. Megjithatë, personat më të rrezikuar janë gratë shtatzëna, pasi të porsalindurit e tyre mund të vuajnë nga një sërë komplikacionesh në tru./Oranews.tv/