Nuk pastrohet shkolla, sanitaret protestojnë se nuk paguhen
Dy sanitaret e shkollës 9 vjeçare në Bardhaj të Shkodrës prej disa ditësh kanë vendosur të mos kryejnë më detyrën e tyre. Ky vendim vjen si protestë për faktin se prej 13 muajsh sanitaret nuk paguhen për punën që bëjnë. Por ky fakt ka shkaktuar një situatë të pazakontë me higjienën në këtë godinë ku ndjekin mësimin rreth 600 nxënës.Në Shkollën 9 vjeçare të Bardhajve në Shkodër ku mësojnë rreth 600 nxënës, rrezikohet shpërthimi i ndonjë epidemie, pasi prej disa ditësh nuk vihet dorë në pastrimin e ambjenteve dhe 10 tualeteve të saj. Shkak është bërë mos marrja e pagave prej 13 muajsh e 2 sanitareve, saktësisht nga dhjetori i 2014-s. Sanitareve u ka përfunduar kontrata e pjesshme me bashkinë dhe nuk u është rinovuar për shkak se nuk është miratuar buxheti për vitin 2016.Arbena Fangaj: "Një person që punon për një vit e gjysmë pa rrogë, plus dhe që në 2014 gjashtë muaj nuk i kam marrë kam bojkotuar punën. Nuk mund të punojë një jetë pa rrogë."Mira Isufi: “Unë jam pastruese të shkolla tjetër atje, sepse janë dy shkolla. Kam dhe dy kopsht atje, 60 fëmijë janë të vegjël 2 vjeç. Kam 13 muaj pa rrogë.”Drejtorja Terezina Brigja thotë se ka njoftuar të gjitha institucionet, nga Ministria e Arsimit deri tek Inspektoriati i Higjenes.Terezina Brigja: “Akoma sot nuk kam marrë përgjigje.Drejtoria Arsimore ja lë fajin pushtetit vendor. Pushteti vendor ja lë Drejtorisë Arsimore.Cila është arsyeja nuk e di. Unë di të them diçka të tjetër: më mirë se unë flasin faktet. Shkoni filmoni tualetet se si janë.”Ndërkohë, shkresat e shkëmbyera dëshmojnë për indiferencën institucionale të treguar nga pushteti vendor, që prej 1 viti nuk i jep zgjidhje çeshtjes së pagave të 2 sanitare, ç'ka bën që sot 600 nxënësit e kësaj shkolle dhe stafi pedagogjik të përballen me kushte skandaloze të higjenës, duke u rrezikuar edhe shëndetin fëmijëve./Oranews.tv/