Profesionet e lira, 27.9% të pagës së referencës shkon për kontribute
Vendosja e pagave referencë për profesionet e lira është një zgjidhje e sforcuar e qeverisë që ka shkaktuar reagimet e para. Ekspertet kontabël sqarojnë se qytetarët do të paguajnë si kontribute shoqërore dhe shëndetësore 27.9% të pagës së referencës. Të gjithë profesionistët e rinj do të bëjnë vetdeklarim për pagën dhe dhe më pas kjo rivlerësohet nga administrata tatimore në raport me pagën e referencës e cila ndryshon në bazë të profesionit të qytetit dhe zonës.Vendosja e pagës së referencës për profesionet e lira si një nivel për të paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore është një zgjidhje e sforcuar e qeverisë.Eksperti kontabël Agim Binaj shpjegon se edhe pse janë vendosur kritere për dallimin e tyre përsëri pritet të ketë kundërshtime prej profesionistëve.Agim Binaj: “Unë them që kjo do të ketë probleme, do të ketë dhe reagim për shembull për këto pagat e referencës që kanë përdorur . Prandaj kjo do ketë reagim sepse jo të gjithë profesionistët e lirë janë në të njëjtin nivel të të ardhurave. Këtu ka profesionistë të lirë sidomos këto firmat e huaja që kanë gati 50% të tregut shqiptar .”Sipas Binaj shumë profesionistë deri tani kanë paguar kontribute në bazë të pagës minimale edhe pse fitimet i kanë pasur të larta.Agim Binaj: “80% e profesionistëve deklaronin një pagë minimale për të mos paguar kontribute shumë dhe tatimet e të ardhurave. Atëherë kuptohet që shteti tani u detyrua të marrë një nismë sforcuar."Në vendimin e qeverisë përcaktohet se pagat referencës janë përcaktuar sipas kategorizimit të bashkive dhe zonave ku zhvillohet veprimtaria sipas llojit te profesionit, paga për të njëjtin profesion në sektorin publik, vitet e punës në bazë të licencës në profesion dhe statusi i profesionit.Këto paga vetëdeklarohen nga profesionet e lira, kur administrata tatimore vëren se pagat e deklaruara për efekt të llogaritjes së kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë më të ulëta nga paga respektive e përcaktuar në këtë vendim, ajo ka autoritetin t'i rivlerësojë, sipas nivelit të pagës përkatese të përcaktuar në këtë vendim.Një profesionist do të paguajë 27.9 % të shumës së pagës së referencës dhe nëse marim si shembull një pagë reference të një IT prej 88 mijë lekësh do të derdhë si kontribute 24 mijë lekë në muaj./Oranews.tv/