“Mendoj për ty” në Tiranë, Jahjaga: Rrëfehet mizoria ndaj popullatës së Kosovës

Dokumentari i producentes Anna Di Lellio kushtuar instalacionit “Mendoj për ty” të kreatores Alketa Xhafa Mripa kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë u prezantua sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.E pranishme në aktivitet, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se në dokumentar rrëfehet mizoria e ushtruar ndaj popullatës kosovare.Dokumentari "Mendoj për ty" i producentes Anna Di Lellio, u shfaq mbrëmjen e së premtes në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, duke bërë bashkë përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile nga Shqipëria e Kosova.Mesazhin kryesor e përcolli Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila mes fjalëve të ndjera kërkoi që e ardhmja të mos përcaktohet nga e shkuara e këtyre grave.Jahjaga: Me plagët e hapura të krimit gjetëm forcën për mbijetësë, shpresën për një të ardhme më të mirë, për tu kapur më shumë tek e drejta e tyre për një jetë në paqe dhe drejtësi. Kujtimi i asaj dite, 12 qershorit, ditës më të shenjtë të Kosovës, dita e çlirimit, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua nga 5000 fustane do të jetë gjithmonë i freskët jo vetëm në mendjen time por shumë qytetarëve të Kosovës.Ajo ditë përcolli shumë dhimbje, por mbi të gjtha përcolli shumë shpresë teksa u bëra dëshmitare e një solidariteti të pashoq, duke tejkaluar edhe kufijtë e Kosovës. Thirrja bëri të thyhej heshtja për të luftuar stigmën, u bë i zëshëm krah përkushtimit për njohjen e këtij krimi dhe të një përbetimi shoqëror dhe institucional për ta dënuar atë njëherë e përgjithmonë dhe bërë çështë e mundur për tu garantuar të mbijetuarve një jetë në paqe dhe drejtësi shumë të merituar. Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre por sëbashku ne mund të garantojmë që e ardhmja e tyre të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur që përjetuan. Që e ardhmja e fëmijëve të tyre dhe familjeve të tyre të mos përcaktohet nga ky krim në trupin e tyre.Dhe asnjë herë përfaqësuesit e Kosovës nuk harrojnë të falenderojnë shtetin e popullin shqiptar për "dyert  hapura" për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës atje.Jahjaga: Shfaqja e këtij dokumentari në Tiranë është pjesë e mbështetjes së pakursyer të qytetarëve dhe institucioneve të Shqipërisë ndaj qytetarëve të Kosovës që nga kohët tona më të vështira ku shpresa për një të ardhme më të mirë dukej ende larg. Për shumë të mbijetuar dera e parë ku ata trokitën për ndihmë dhe mbështetje ishin kampet e shumta të ngritura në tërë Shqipërinë, shtëpitë e hapura në tërë vendin ku ata gjetën mbrojtje, dhembshuri dhe shpresën se nuk do të ishin të vetëm për tu përballur me mizoritë e luftës, të cilat sapo kishin shënjuar trupin e tyre. Do tu jemi përjetësisht mirënjohës që na qëndruat pranë dhe sot në paqe vazhdojmë të gjejmë mbështetjen e pakursyer për të gjitha proçeset në të cilat po kalojmë si një shtet dhe shoqëri e re.Zv/kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi, shprehen mbështetje dhe solidaritet për gratë që i mbijetuan krimeve.Dhuna seksuale ndaj grave është konsideruar sekreti më i errët i luftës së Kosovës.