Letra e Akademisë së Shkencave: Nobelin ta marrë Ismail Kadare

Akademia e Shkencave i ka kërkuar zyrtarisht Komitetit të Nobelit që këtë vit t'ja japë çmimin për letërsinë shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Akademikja, Floresha Dado, shprehet se Kadare, i cili prej vitesh është në mesin e kandidatëve, meriton të marrë këtë vlerësim ndërkombëtar. Ky vit përkon me 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë dhe Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave kanë organizuar një sërë aktivitetesh. Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar një letër komitetit të Nobelit, në të cilën propozon shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin e madh të letërsisë.Kryetarja e seksionit të shkencave shoqërore dhe albanologjike në Akademinë e Shkencave, Floresha Dado, për Ora News jep argumentat pse këtë vit, që përkon edhe me 80 vjetorin e shkrimtarit, Nobeli duhet ti shkojë Kadaresë.Floresha Dado: Ky vit është i veçantë në qëndrimet që duhet të mbajë e gjithë bota kulturore ndaj figurës së Ismail Kadaresë, i cili është padiskutim një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Nëse për një shkrimtar shkruhet kaq shumë nga kritika në vende të ndryshme të botës, nëse vepra e tij përkthet në 45 gjuhë të botës kjo tregon që vepra e Ismail Kadaresë është bërë pjesë e botës shpirtërore të popujve të ndryshëm.Akademia e Shkencave do organizojë në muajin prill një aktivitet në nder të shkrimtarit Ismail Kadare.Floresha Dado: Unë personalisht kam folur dhe me shkrimtarin e madh dhe kemi menduar që Akademia e Shkencave në bashkëpunim edhe me Akademinë e Shkencave të Kosovës të bëjmë jo tani sepse menduam që në muajin janar ka shumë aktivitete, por në prill, periudha kur Kadare vjen në Shqipëri, do të bëjmë një Akademi solemne.Në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së Ismail Kadare aktivitete të shumta ka programuar edhe Ministria e Kulturës që do të përqendrohen kryesisht në Gjirokastër, vendlindjen e shkrimtarit.