Tre emigrantë të mbytur në detin Egje
Tre emigrantë të mbytur, mes të cilëve edhe një fëmijë. Është ky bilanci i tragjedisë më të fundit të regjistruar në brigjet e detit Egje.Incidenti ndodhi pas nisjes së një barke me 16 pasagjerë nga Turqia. Mjeti i tyre lundrues u fundos vetëm 200 metra pasi u largua nga bregu, ku si pasojë humbën jetën dy gra dhe një fëmijë pesë vjecar.Pesë emigrantë arritën që të notojnë duke mbërritur sërisht në breg, ndërkohë që pjesa tjetër u shpëtua falë ndërhyrjes së shpejtë të rojave bregdetare turke.Në bord ndodhej edhe një foshnje një vjeç, e cila u dërgua menjëherë në spital në gjendje tepër të rëndë shëndetësore. Edhe në këtë incident me pasoja tragjike, shkaku i fundosjes së barkës ka qënë vjetërsia e mjetit si dhe tejmbushja e tij. Azil-kërkuesit kishin si qëllim mbërritjen në ishullin grek Lezbos.Tre jetët e humbura e çojnë në 3.771 numrin e viktimave në detin Mesdhe, që prej nisjes së krizës së emigrantëve. Gjatë këtyre viteve, rojat bregdetare kanë arritur që të shpëtojnë më shumë se 90.000 refugjatë. /Oranews.tv/