Mustafa për vezët e VV: Të vetëdijësohet, s’mund të kufizojë punën e Qeverisë

Kryeministri Isa Mustafa ka dënuar ashpër veprimet e opozitës gjatë mbledhjes së qeverisë, duke u shprehur se askush nuk ka të drejtë që të cënojë jetën publike e private të funksionarëve të shtetit.Ai shprehu keqardhje për goditjen më të fundit me vezë nga ana e aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët qëlluan Ministrin për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci.Mustafa: “Nuk është vetëm çështje e gjuajtës me vezës por është çështje e deklarimit të ‘Vetëvendosjes’ se ata nuk do t’i lënë rehat të punojnë anëtarët e Qeverisë dhe Qeverinë. Askush nuk guxon dhe nuk ka të drejtë që të përcaktojë, rregullat kufizimet e jetës së qeveritarëve të Republikës së Kosovës dhe jetës së tyre private dhe publike. Kjo kapërcen çdo normë të sjelljes , dhe çdo normë ligjore prandaj unë kërkoj në emër të Qeverisë që ata të vetëdijesohen të sillen sipas ligjit dhe të respektojnë normat e këtij shteti dhe këtij vendi”.Më tej Mustafa u shpreh se qeveria e kundërshtonte edhe zotimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes, të cilët janë shprehur se do të bllokojnë çdo seancë parlamentare në rast se marrëveshjet e firmosura me Serbinë dhe Malin e Zi nuk anullohen.Pavarësisht apelit të vazhdueshëm të qeverisë, deputetët e opozitës kanë deklaruar se nuk do të ndalen deri sa marrëveshjet e firmosura në Bruksel të anulohen.Ata kanë thirrur një manifestim në Prishtinë, që do të zhvillohet më datë 9 janar të vitit të ardhshëm.