Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë për ndryshimet në kodin penal
Tahiri, 26.3.2014: “Masa e dënimit të shkojë nga 5 vjet deri në 8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet burgim”.Ky vendim i qeverisë bërë publik më 26 mars të vitit 2014 nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.Nisma e qeverisë erdhi pas shtimit të rasteve të shpërthimeve me tritol në kryeqytet e për këtë arsye u vendos që për rastet e mbajtjes pa leje të armëve dhe eksplozivit dënimi të shtohet nga 5-8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet burgim.Ky ndryshim në Kodin Penal u ankimua nga Gjykata e Apelit Vlorë dhe më 10 dhjetor të këtij viti Gjykata Kushteuese ka shpallur vendimin që rrëzon qeverinë.Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin 278 të Kodit Penal, konkretisht paragrafët 5 dhe 6 të ndryshuar e shtuar me ligjin Nr. 98 të vitit 2014.Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar vendimin të arsyetuar, por në fund të shqyrtimit të çështjes bën të ditur se shfyqizon ashpërsimin e masave për rastet e mbajtjes pa leje të armëve dhe eksplozivëve, duke i konsideruar ato të papajtueshme me të paktën 4 nene të Kushtetutës, ku parashikohet, ndër të tjera, se "kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që ka diktuar atë".Pas këtij vendimi çdo person që është dënuar mbi bazën e ndryshimeve që iu bënë Kodit Penal ka të drejtë të kërkojë rigjykim të çështjes.
/Oranews.tv/