Thellohet gropa në buxhet: 10.9 mld lekë më pak se plani për 10 mujorin
Të ardhurat në buxhetin e shtetit edhe për muajin tetor shënojnë një mosrealizim të thellë. Doganat vijojnë që të krijojnë gropën më të madhe në buxhet dhe zërat kryesor me ndikim janë akciza, renta minerare dhe TVSH-ja në import. Për 10 mujorin e parë të këtij viti në buxhetin e shtetit mungojnë 10.9 miliardë lekë në krahasim me planin. Ndërkohë që në nivele shqetësuese mbeten edhe realizimi i investimeve me rreth 22 miliardë lekë më pak se plani.Tirane- Mosrealizimi në dhjetë muaj prek shifrën 10.9 miliardë lekë më pak se plani një e dhënë domethënëse se aksioni antinformalitet nuk ndikoi në rritjen e të ardhurave.Të ardhurat totale të buxhetit arritën 311.2 miliardë lekë nga 322.1 miliardë lekë të parashikuar për periudhën janar-tetor.Sipas të dhënave të Ministrisë së Financve konstatohet se doganat vijojnë të kenë mosrealizimin më të madh të të ardhurave.Akciza,TVSH-ja në import dhe renta minerare janë tre zërat që për disa muaj me radhë vazhdojnë të kenë mosrealizimin më të madh që shkakton dhe gropën më të thellë në buxhet."Akciza" shënon mosrealizim të thelle pasi vetëm për një muaj ka pësuar një ulje me -4.2% shifër më e lartë se ajo e mosrealizimit në 9 muaj bashkë që ishte 3.3%. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rentën minerare. Mosrealizimi në tetor është 1.4% duke prekur shifren 5.2% në dhjetë muaj.Sipas Ministrisë së Financave rënia e të ardhurave nga Administrata Doganore shpjegohet me vazhdimësinë e ndikimit të faktorëve të jashtëm por sipas ekspertëve performanca e dobët e doganave është e ndikuar nga futja e mallrave kontrabandë dhe rënia e konsumit.Ndërkohë Drejtoria e Tatimeve ka pasur një realizim më të mirë të planit në krahasim me doganat. Një prej zërave me mosrealizim në këtë institucion janë "Tatimi mbi të ardhurat personale" me 7.6 milion lekë më pak se plani.Përveç mosrealizimit për 10 muajt e parë të viti 2015 konstatohen edhe më pak investime se plani.Sipas të dhënave të Ministrisë për periudhën janar-tetor 2015,u shpenzuan 22 miliardë lekë më pak se plani i periudhës prej 352 miliardë lekë, pra një realizim prej 94% të planit të periudhës.Zërin kryesor të mosrealizimit e mbajnë shpenzimet kapitale me rreth -17 %.Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve apo parashikimi për t'u realizuar në tremujorin e fundit.
/Oranews.tv/