Shpërthim i fuqishëm në qendër të Athinës

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në qendër të Athinës. Ngjarja ka ndodhur në orën 03:55 të mëngjesit të së martës me orën lokale greke në rrugën e “Ksenofondi”, pak metra nga “Sindagma”.Sipas policisë greke objekt i sulmit ka qenë Dhoma e Federatës së Industrive Greke. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në Dhomën e Industrive dhe në një hotel ngjitur, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Ajo çka u gjet ishte një pajisje me kurdisje e cila ishte e vendosur në një çantë udhëtimi prnë hyrjes së ndërtesës, shkruan Zougla.gr.Policia njoftoi se shpërthimi i bombës ishte paraprirë nga një telefonatë në redaksinë e një gazete ku u tha se një bombë do të shpërthente pas 40 minutash. Policia shkoi drejt vendit të ngjarjes, por pa mundur të çaktivizojë bombën, dhe ashtu sic u paralajmëroi ajo shpërtheu, duke shkaktuar zhurmë në qendër të kryeqytetit helen.Edhe pse nuk ka një raport zyrtar, policia mendon se ky veprim është ndërmarrë nga grupet guerrile të cilët kundërshtojnë ashpërsisht masat e reja ekonomike të miratuara nga qeveria e Aleksis Tsipras.Ndërkohë që kjo ngjarje vjen 10 ditë pas sulmeve terroriste në Paris, ku edhe Athina si shumica e kryeqyteteve europiane është vënë në alarm.