Ambasadori gjerman: Pa luftuar gjyqtarët e korruptuar, nuk keni bërë asgjë
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffmann, i kërkoi politikës shqiptare që të luftojë korrupsionin si pengesën kryesore të Shqipërisë në rrugën integruese dhe thithjen e investimeve të huaja. Ai tha se nuk do donte të vendosej në pozitë si Ambasadë ku nuk mund të justifikonte Shqipërinë si destinacion për investitorë të huaj.Pengesë kryesore në rrugën integruese dhe thithjen e investimeve të huaja Shqipëria ka korrupsionin. Kjo është bindja e Ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, i cili i kërkoi klasës politike shqiptare të punojë për të përmirësuar imazhin e vendit.Hoffmann: “Nuk është habi kur them se zbatimi i ligjit është ekstremisht i rëndësishëm për investimet e huaja. Unë gjithmonë pyetem nga investitorë potencialë: duhet unë të pres që njerëzit të më pyesin nëse unë duhet të bëj ndonjë favor? Dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse kjo i bën njerëzit të hezitojnë. Lajmet negative shpërndahen shpejt dhe unë nuk dua të vendosem ne pozitën si Ambasadë ku nuk mund të justifikoj Shqipërinë si destinacion për investitorë të huaj.Ja përse është e nevojshme reforma në gjyqësor. Nëse nuk luftohet kundër gjyqtarëve të korruptuar nuk është bërë asgjë".Hoffman foli me shqetësim edhe për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë drejt Gjermanisë dhe duke e krahasuar me qasjen që pati Kosova për këtë çështje, Hoffmann u duk i pakënaqur nga politika shqiptare.Hoffmann: "Një situatë e ngjashme e fenomenit të azilkërkuesve ka ndodhur edhe në Kosovë, ku numri ishte në rritje. Por atje pati një debat të gjerë ku u përfshinë edhe politika dhe i thanë njerëzve mos kërkoni azil. Kemi përshtypjen se kjo mundësoi uljen e numrit të azilërkuesve më shumë se këtu në Shqipëri. Këshilla ime është që çështja e azilkërkuesve të lihet jashtë debatit partiak. Këshilla ime është të "gërmoni" në arsyet që i bëjnë shqiptarët të kërkojnë azil”.Ambasadori Hoffmann i kërkoi politikës shqiptare që të vendosë urat e dialogut, pasi konfliktualiteti theksoi ai, nuk i shërben proçesit integrues.