Furnizimi me energji, Gjiknuri e Çela inspektojnë punimet për rrjetin 20 KV

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE, Adrian Çela inspektuan sot punimet që po kryhen për shtrirjen e rrjetit 20 KV në qytetin e Fierit. Ata deklaruan se investimi do të shtrihet në më shumë se gjysmën e qytetit dhe ndikon në cilësinë e furnizimit me energji të mbi 9800 qytetarëve.Fieri do të jetë nyje e rëndësishme e rajonit për këmbimin e energjisë elektrike. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE Adrian Çela bënë të ditur se qyteti myzeqar do ketë lidhje dhe me Maqedoninë dhe me gazsjellësin TAP.Gjiknuri dhe Çela sqaruan se rritja e arkëtimeve përkthehen në shërbim më të mirë për qytetarët dhe investime në sektorin energjetik.Damian Gjiknuri : "Për herë të parë pas 20 vitesh po bëhen investime serioze në qytetin e Fierit. Do mund të kemi furnizim më të mirë, më pak humbje teknike. Pagesat e shtuara dhe ligjshmëria në sektorin e energjisë elektrike po jep mundësinë për të kryer investimet aq të nevojshme për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve".Adrian Çela:"Do të transferohet e gjithë linja nga 6 në 20 kilovolt. Në total në Fier do investohen 412 milion lekë të reja përfshirë rajonet Fier, Ballsh dhe Patoz. Idea është që brenda vitit 2016 të kemi gjithë linjën në 20 kilovolt duke garantuar furnizimin më të mirë, ulje të defekteve dhe zbritje me 10% të nivelit të humbjeve teknike".Punimet në linjën 20 KV do të zgjasin tre muaj dhe përfshin rikonstruksionin e 39 kabinve dhe ngritjen e 9 të rejave. /Oranews.tv/