Ndotja në Durrës, AKM-qytetarëve: Qëndroni larg, mund të rezultojë fatale

Agjensia Kombëtare e Mjedisit lëshon alarmin se ndotja në plazhin e Durrësit pas derdhjes së një sasise të konsiderueshme karburantesh është tepër e rrezikshme. Ky institucion iu bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg dhe të presin rehabilitimin e plotë në vijën bregdetare prej 2.5 km.Qytetarët duhet ti qëndrojnë larg kontaktit me ujin përgjatë vijës së ndotur në plazhin e Durrësit, pasi mund të rezultojë fatale për shëndetin e tyre.Alarmi është dhënë nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit, e cila ka publikuar rezultatet pas ndotjes me karburant të një pjese të vijës bregdetare në Durrës.Sipas analizave të kryera në laboratorin e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, mostrat e ujit kanë rezultuar shumë të ndotura me përqindje të lartë të produkteve të naftës tej normave të lejuara."Nga vlerat gjykojmë se ndotja me hidrokarbure është shumë e lartë, cka për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, gjendja është alarmante. Për këtë arsye ndalohet kategorikisht kontakti me ujin apo larja në det e qytetarëve, deri në momentin e rehabilitimit të plotë mjedisor të zonës së prekur në plazhin e Durrësit në një gjatësi prej rreth 2.5 km."Pas analizave të para, AKM do të vijojë të monitorojë situatën për të njoftuar më pas qytetarët se kur mund të konsiderohet zona jo e rrezikshme.Bregdeti i Durrësit u ndot mesditën e së shtunës nga një sasi hidrokarburesh që preku një gjatësi prej më shumë se 2.5 kilometra vijë bregdetare, në zonën e plazhit Iliria.Ndonëse Prokuroria ka nisur hetimet, ende nuk ka asnjë të ndaluar për këtë masakër mjedisore.