Jahjaga nis takimet për tejkalimin e krizës në Kuvend
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka iniciuar nisjen e takimeve me liderët e institucioneve dhe partive politike në përpjekje për tejkalimin e bllokadës në Kuvend.“Pas konsultimeve me krerët e institucioneve, me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për t'i njoftuar me vendimin tim, ftoj për dialog politik partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, thuhet në deklaratën e presidentes.Jahjaga i ka cilësuar të papranueshme veprimet e dhunshme në institucione, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës.“Mandati im si presidente e vendit është të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbejë si faktor uniteti, dhe mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës, që të pranojnë këtë ftesë për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit”, vijon deklarata e presidentes.Ajo ka konfirmuar se u ka dërguar ftesa subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare për takime të ndara në Presidencë në mënyrë që në fund, të mbahet edhe një takim i përbashkët për tejkalimin e gjendjes së krijuar.Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet, kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Sipas marrëveshjes, serbët në Kosovë do të kenë më shumë te drejta dhe Asociacioni i Komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha, siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen e nënshkrimeve nga kjo marrëveshje me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.Tërheqja e nënshkrimeve, nga kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar të papranueshme./Rel/