Ardit Ferizi iku nga Kosova me dosje penale për krime kibernetike
Ardit Ferizi, hakeri 19-vjeçar nga Gjakova, që u arrestua ditë më parë në Kuala Lampur të Malejzisë, ishte shndërruar në makth edhe për Qeverinë e Kosovës dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Megjithatë, ai me shumë komoditet ka arritur të dalë nga Kosova.Burime të gazetës “Zëri” në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se ndaj Ferizit kanë ushtruar shtatë kallëzime penale nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të paautorizuar ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike të institucioneve të ndryshme, organizatave, bizneseve e individëve.Të gjitha kallëzimet penale ndaj tij kishin shkuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Pavarësisht hetimeve që po i zhvillonte Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ardit Ferizi ishte lejuar që ta lëshonte Kosovën.Sipas të dhënave që i posedon Policia e Kosovës, Ferizi ishte larguar nga Kosova më 18 gusht të vitit 2014.Pa kaluar as dy muaj nga largimi i tij, saktësisht më datën 9 tetor të të njëjtit vit, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte lëshuar urdhërarrest për Ferizin.