Shpërthen motoskafi, plagoset gruaja e Presidentit të Maldiveve (VIDEO)
Presidenti i Maldiveve, Abdulla Yameen, është shëndoshë e mirë, por gruaja e tij dhe dy ndihmësit e tij janë plagosur gjatë një shpërthimi të ndodhur në bordin e motoskafit të tyre. Incidenti ndodhi në Malei, i cili është edhe kryeqyteti i arkipelagut në Oqeanin Indian. Ende nuk bëhen me dije detajet, por shpërthimi u pa nga një grup me gazetarë, në kohën që presidenti po kthehej në Maldive,pas pjesëmarrjes në pelegrinazhin e Haxhit.Yameen është një figurë kontroversiale, si brenda dhe jashtë vendit. Ardhja e tij në pushtet gjatë zgjedhjeve të vitit 2013, pati shumë kontestime. Kundërshtari i tij në zgjedhje, Mohamed Nasheed, u burgos me akuza për terrorizëm, gjë që shkaktoi reagime të shumta nga ana e opinionit botëror. Amal Clooney, e shoqja e aktorit hollivudian George Clooney, e cila është edhe avokate e të drejtave të njeriut, bëri thirrje për sanksione ndërkombëtare ndaj presidentit Abdulla Yameen.Ministri Mohamed Husein Shareef, në një prononcim për mediat u shpreh se ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një shpërthim me eksploziv apo për një defekt në motorrin e mjetit lundrues. Më tej ai shtoi se presidenti ndodhet në spital për t'iu gjendur pranë gruas së tij, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Një prej ndihmësve të plagosur ndodhet në gjëndje të rëndë pasi ka marrë dëmtime serioze./Oranews.tv/