8 mijë emigrantë hyjnë çdo ditë në Europë. Kroacia heq sanksionet me Serbinë
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara paralajmëruan se vala prej 8 mijë emigrantësh sirianë dhe irakianë në ditë që hyjnë në Evropë nuk duket se do të ndalet. Koordinatori rajonal i OKB-ës, për refugjatët Amin Awad tha se më shumë se 5 mijë refugjatë mbërrijnë cdo ditë në Greqi.Ndërkohë edhe Organizata Ndërkombëtare për Migrantët ka deklaruar se fluksi pritet të vijojë edhe gjatë dimrit, nëse moti do të jetë i ngrohtë dhe kufijtë do të jenë të hapur.Më shumë se gjysmë milionë emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, kanë arritur në Evropë gjatë këtij viti.Ndërkohë Kroacia ka hequr sanksionet e vendosur me Serbinë, duke i thënë fund kështu bllokadës tregtare mes dy vendeve. Ministri i Brendshëm i Kroacisë Ranko Ostojic ka thënë se "të gjitha makinat pavarësisht targave mund të hynë në Kroaci."Kriza ka filluar kur Hungaria mbylli kufirin me Serbinë, duke i lënë dhjetëra mijëra migrantë të bllokuar në Serbi. Më pas ata filluan të lëvizin nëpër Kroaci dhe Slloveni, për të vijuar udhëtimin drejt shteteve veriperëndimore të Evropës.