Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dorëhiqet në tetor
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan John Boehner do të japë dorëheqjen nga Kongresi dhe do të lërë bosh vendin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve në fund të tetorit.Vendimi i tij erdhi një ditë pas fjalimit historik të Papa Françeskut në Kongresin Amerikan, që u bë i mundur pas kërkesës së tij.John Boehner, anëtar i Kongresit që nga viti 1990, ka qenë nën presion nga krahu konservator i Partisë Republikane për një numër çështjesh. Gjatë ditës ai ka zhvilluar takime me kundërshtarë brenda partisë së tij për të shmangur zhvillimet që mund të çojnë në pezullimin e funksionimit të qeverisë federale javën e ardhshme.Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është i dyti në hierarkinë e udhëheqjes së qeverisë amerikane, pas zëvendëspresidentit, nëse presidenti nuk është në gjendje të përmbushë detyrën.John Boehner është 65 vjeç dhe u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nga kolegët e tij afro pesë vjet më parë.