Roli përcaktues në qeverisjen e pas 23 qershorit
Përmes sloganit të vet “Të ecim më shpejt”, LSI-ja ka artikuluar qartë dhe me shumë qytetari atë që kërkon në fakt e gjithë shoqëria shqiptare; të ecë më shpejt për të rifituar kohën e humbur. Sepse është e pafalshme për klasën politike të vendit, që edhe pas 23 vitesh në demokracinë pluraliste, në të cilën u mbërrit nën refrenin “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”, ne jemi ende jashtë e larg saj. Të ecim më shpejt”, është thirrje e kohës që jetojmë, është kushtrimi për të mbërritur Europën që aspirojmë, e për rrjedhojë, nuk nënkupton atë që artikulohet si rreshtim në koalicionin aktual qeverisës. Ajo kupton qartë dhe prerë, një ritëm tjetër, e po aq, një dimension tjetër të reformave dhe qasjes së të gjithëve pa përjashtim; natyrisht të politik-bërësve më së pari, me një sjellje europiane përballë interesave europiane të Shqipërisë. Koha nuk mund të na presë e nuk do të na e falë vonesën. Meqë shpesh pyetet se a ka LSI një qëndrim dhe se ku do të jetë ajo në garën elektorale të 23 qershorit, po bëj me dije se do të jetë gjithkund ku janë njerëzit, gjithkund ku janë qytetarët e këtij vendi, me gjithë problematikën e jetës së tyre. Kjo me qëllim për të ecur së bashku më shpejt e për të ndërtuar një jetë më të mirë, më të sigurt dhe më të gëzuar për të gjithë në Shqipërinë europiane. LSI është tashmë një faktor politik i konfirmuar në disa zgjedhje prej votës që i kanë dhënë qytetarët e këtij vendi, të cilët kanë ardhur vazhdimisht duke e rritur mbështetjen e tyre ndaj LSI-së, çka ka konfirmuar në fakt rolin e saj konstruktiv e moderues në realitetin politik shqiptar. Për LSI-në është i rëndësishëm poli europian ku duhet të mbërrijë Shqipëria dhe natyrisht që ne jemi të vendosur të ecim drejt këtij poli. Vendi ka nevojë për përgjegjshmëri dhe vizion europian të politik bërësve. Këtë ofrojmë ne, në dallim nga politika konfliktuale dhe bllokuese, e madje nuk do të hezitoja të thosha, për fat të keq, edhe në dëm të interesave të vendit, demonstruar kjo edhe gjatë legjislaturës që po mbyllet. Përpara zgjedhjeve, secila parti apo secili grupim politik bën llogaritë e veta, por në këtë fazë në të cilën gjendemi, LSI-ja aktualisht po bën një bilanc të të gjithë investiturës së saj politike e qeverisëse, prej zgjedhjeve të 2009-ës e tëhu, e bindur se shërbimi i saj ndaj qytetarëve dhe vendit ka qenë produktiv. Prej LSI-së, Shqipëria është më europiane se katër vite më parë, është më e konsoliduar dhe më e qartë në rrugën e saj për integrimin e plotë në BE. Për këtë arsye ne kemi vetëm një hapësirë ku gjendemi e ku punojmë; hapësirën ku gjenden e jetojnë të gjithë ata shqiptarë që ndjehen evropianë, po aq sa janë edhe shqiptarë dhe që duan Shqipërinë europiane. Është e vërtetë që me sasinë e votave që mori, LSI-ja në zgjedhjet e vitit 2009, do të duhej të kishte të paktën dyfishin e deputetëve aktualë. Por tashmë, të gjithë e dinë se gjithë makinacionet e atyre zgjedhjeve synonin eliminimin politik të saj, gjë që dështoi pikërisht falë asaj që shpjegova më lart; marrëdhëniet e ngushta të bashkëveprimit me qytetarët, marrëdhënie të krijuara dhe të forcuara prej interesave të njëjta. Ndërkaq, për zgjedhjet e 23 qershorit, mekanizmi ynë korrigjues, që do të na mundësojë më shumë vende në Kuvend, dhe një rol më përcaktues në qeverisjen e pas 23 qershorit, është rritja e numrit të votave për LSI-në, çka do të thotë rritje e mbështetjes së qytetarëve që do të votojnë forcën tonë politike.Burimi : shekulli.com.al