MK: “Gjashtëkëndëshit” në Gjirokastër iu dëmtua çatia si pasojë e ndërhyrjes në 2009
Ministria e Kulturës ka reaguar për objektin muze në Gjirokastër të njohur si “Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit” e cila ka pasur dëmtime.Sipas Ministrisë së Kluturës, këtij objekti nuk i është rrëzuar fasada, por i është dëmtuar çatia dhe kjo ka ardhur si pasojë e një ndërhyrjeje të rëndë teknike që i është bërë në vitin 2009."Ministria e Kulturës sqaron se DRKK e Gjirokastrës ka ndjekur hap pas hapi të gjithë problematikën e banesës duke konstatuar një dëmtim të çatisë , si pasojë e ndërhyrjeve të rënda teknike në vitin 2009. Nuk kemi të bëjmë me shembje, apo rënie të fasadës, siç është raportuar në disa media. Është konstatuar dhe raportuar edhe disa herë më parë se ky dëmtim vjen si pasojë e ndërhyrjes në objekt, ku, çatia është mbuluar me rrasa guri, që kanë rënduar mbulimin. Në gjendjen e sotme kjo ka shkaktuar dëmtim të trarëve mbajtës dhe të pllakave të çatisë", thuhet ne reagimin e MK.Po ashtu Ministria bën më dije se dëmtimi i çatisë është stabilizuar dhe objekti mund të quhet i sigurt."Me ndërhyrjen e fundit në datat 17 dhe 18 gusht 2015 nga specialistët e DRKK-Gjirokastër u arrit të stabilizohet qëndrueshmëria e çatisë dhe objekti mund të quhet i sigurt."Objekti është pjesë e projektit të bashkepunimit me Agjencine turke TIKA që mundëson ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës, në zbatim të rekomandimeve të UNESCO.