Gjykatë Speciale edhe në Maqedoni për krimet dhe korrupsionin
Bashkësia ndërkombëtare po shqyrton opsionin për formimin e një Gjykate Speciale e cila do të ndjekë veprat kriminale dhe korruptive që kanë ndodhur viteve të fundit në Maqedoni.Partitë politike që janë pjesë e negociatave për tejkalimin e krizës nuk kanë përjashtuar formimin e një gjykate të tillë, që shihet si mundësi e vetme për të rikthyer besimin tek sistemi i gjyqësisë dhe ndjekja e veprave kriminale që kanë ndodhur viteve të fundit.Profesori i së drejtës në Universitetit të Tetovës Mersim Maksuti nënvizon për IBNA se është herët të flitet për një gjkyatë të tillë, sepse sipas tij për momentin duhet të vij në shprehje përgjegjësia politike dhe më pas të hapet rruga për formimin e një gjykate të tillë.“Kushtetuta e Maqedonisë nuk parasheh formimin e një gjykatave të tilla profesionale. Për mendimin tim jam dakord që të formohet një gjykatë e tillë. Për themelimin e saj kërkohet një vullnet me bazë të gjërë politike që do të ndryshojë Kushtetutën, që për momentin nuk besoj se do të ndodhë pa rotacionin politik të pushtetit. Parlamenti duhet të ndryshoj Kushtetutën dhe pastaj me ligj të veçantë formohet kjo gjykatë speciale”, theksoi profesori i së drejtës në UT-së, Mersim Maksuti. Por siç thotë ai për momentin nuk ka sinjale apo kushte për një gjë të tillë.Analisti politik Aco Kabranov theksoi për IBNA se duhet që si pikë e parë të themelohet një institucion i tillë gjyqësor për të rikthyer shtetin e së drejtës.“Kjo gjykatë domosdo duhet të formohet dhe të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, mendoj për funksionarët aktual të pushtetit. Ata duhet të përgjigjen, të dënohen dhe t’iu konfiskohet e gjithë ajo që është vjedhur me paratë e popullit. Me këtë gjykatë që kemi nuk bëhet kjo. Andaj është e nevojshme një gjykatë speciale e cila do të ndëshkojë të gjithë ata që kanë bërë kriminalitet dhe korrupsion”, theksoi Kabranov.Themelimin e një gjykate të tillë e ka kërkuar edhe opozita maqedonase, e cila përmes aferës së përgjimeve ka theksuar se sistemi i drejtësisë në Maqedoni ka rënë dhe se qytetarët nuk kanë besim tek ai. Për rikthimin e besimit tek drejtësia, opozita ka kërkuar formimin e një gjykate të veçantë, që do të merret me gjitha skandalet korruptive dhe kriminale që dolën nga bisedat e përgjuara midis krerëve të qeverisjes aktuale. Modeli i propozuar është që Gjykata speciale do të përbëhet me një panel të përzier të gjykatësve vendor të pakorruptuar dhe gjykatësve ndërkombëtarë, kryesisht nga BE, ose do të shqyrtohet mundësia e një mekanizmi mbikqyrës nga drejtësia ndërkombëtare. (IBNA)