Thaçi: Votimi i ndryshimeve kushtetuese për Specialen pasi t’i sigurojmë votat
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi tha se janë duke punuar që sa më shpejt të ndodhë votimi i ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, por se, sipas tij, kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të sigurohen se do t’i kenë votat e sigurta, pasi nuk guxojnë të dështojnë edhe një herë.Këto komente Thaçi i bëri pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias, me të cilin kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.I pyetur nëse do të shtyhet për në shtator procedimi i ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, Thaçi tha se janë duke punuar që kjo të ndodhë sa më shpejt, por votimi do të bëhet vetëm atëherë kur t’i kenë votat e sigurta.“Ne jemi duke punuar që një votim i tillë pozitiv të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Sa më tepër që shtyhet, gjërat mund të ndërlikohen. Por jemi në koordinim si spektër politik, në të njëjtën kohë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë që votimi i ardhshëm të bëhet në momentin kur të jemi të sigurt që janë votat e mjaftueshme, sepse nuk guxojmë të gabojmë dhe të dështojmë”.Për takimin që pati me homologun e tij grek, kryediplomati kosovar tha se diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve, i cili do të afirmohet dhe avancohet edhe më tepër.Në anën tjetër ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias tha se gjëja më e rëndësishme në rajonin e Ballkanit është stabiliteti, siguria, në mënyrë që të sjellin shpresë dhe perspektivë për të tjerët dhe marrëdhënie të mira mes të gjithëve.