Zaev shpall dështimin e negociatave, do vazhdojë me “bombat”

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, shpalli te merkuren dështimin dhe ndërprerjen e negociatave për zgjidhjen e krizës politike dhe se ai theksoi se do të vazhdojë me publikimin e materialeve të përgjimeve të ashtuquajtura ‘bomba’.Zaev tha se kryeministri Nikolla Gruevski ka refuzuar kërkesat e LSDM-së për kthimin e demokracisë dhe funksionimit normal të shtetit si dhe sigurimin e zgjedhjeve të rregullta dhe korrekte. Si rrjedhojë, Zaev e shpalli të pavlefshme edhe Marrëveshjen e arritur më 2 qershor me praninë edhe të eurokomisionerit për zgjerim, Johannes Hahn.“Gruevski dëshiron që të zvarrisë procesin, me çka i shkakton dëm edhe qytetarëve edhe Maqedonisë. Për këto arsye i kumtoj opinionit se bisedimet janë të pasuksesshme. Nikolla Gruevski në vazhdimësi e minon marrëveshjen e arritur më 2 qershor. Në bisedime Gruevski refuzoi të pranojë garancitë e ndara mes pushtetit dhe opozitës për kthimin e institucioneve demokratike, kthimin e korrektimit në shoqëri, për normalizimin e shtetit, për sigurimin e kushteve për zgjedhje të rregullta, korrekte dhe demokratike”, deklaroi Zaev.Ai shtoi se në periudhën e ardhshme opozita do të vijojë me publikimin e të ashtuquajturve “bomba”, por edhe forma të tjera të veprimit demokratik.“Do të vazhdojmë të veprojmë intensivisht, duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion, deri në rënien përfundimtare të regjimit. Projekti “E vërteta për Maqedoninë” do të vazhdojë. Do t’i kthejmë, patjetër t’i kthejmë lirinë dhe demokracinë në Maqedoni, të cilat i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare ose politike”, nënvizoi lideri i LSDM-së.Megjithatë, ai ka lënë mundësin e hapur për t`u rikthyer në tryezën e negociatave.“Nëse faktori ndërkombëtar, pa dallim nëse bëhet fjalë për z. Nuland, komisarin Han, madam Mogerini, jep propozim konkret i cili i përmbush kushtet, siç janë ndarja e përgjegjësive dhe garancive mes pushtetit dhe opozitës për kthimin e institucioneve demokratike, për normalizimin e shtetit, për kthimin e korrektuesve në shoqëri dhe sigurimin e kushteve për zgjedhje korrekte, të rregullta dhe demokratike, një propozim i tillë do të vlente për tu shqyrtuar”, deklaroi Zoran Zaev. (INA)