Përfundon takimi i përbashkët Daçiç-Thaçi

Takimi i përbashkët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka përfunduar pas dy orësh diskutimesh. Deri tani nuk ka asnjë informacion nëse është arritur ndonjë marrëveshje midis dy palëve .Pas takimit të përbashkët, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e baroneshës Ashton, ka bërë të ditur se Shefja e Diplomacisë së BE- së Ashton, po zhvillon takime bilaterale me të dyja palët. Aktualisht ajo po takon kryeministrin serb Ivica Daçiç, ndërsa më parë është takuar me kryeministrin Thaçi për rreth një orë.Sipas medieve serbe, nuk përjashtohet mundësia që brenda ditës së sotme Thaçi dhe Daçiç të ulen edhe një herë në tavolinën e bisedimeve.Takimi i shtatë i radhës mes dy kryeministrave të Kosovës dhe atij të Serbisë, është vlerësuar si takim vendimtar. Por deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje midis dy palëve.Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç  po përpiqen të gjejnë një formulë që do t'i kënaqte të dy vendet rreth krijimit të një mekanizmi për serbët, në komunat ku ata janë shumicë, si dhe normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve.Prishtina dhe Beogradi thonë se po bëjnë përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende nuk ka një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës. Prishtina thotë se është dakort me krijimin e një  bashkësie  të komunave me shumicë serbe, por hedh poshtë çdo mundësi që ai të ketë fuqi ekzekutive. Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv.