Bruksel, zhvillohet raundi i shtatë i bisedimeve Kosovë-Serbi

Në Bruksel pritet të mbahet sot raundi i shtatë i bisedimeve në nivel kryeministrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Para këtij takimi, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin dhe janë takuar më udhëheqës të lartë të të dyja vendeve.Kryeministrat ai i Kosovës dhe Serbisë, takohen në Bruksel, në sajë të përpjekjeve për gjetjen e një formule që do t’i kënaqte të dyja palët rreth krijimit të një mekanizmi për serbët, në komunat ku ata janë shumicë, si dhe normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve.Komisionari për  zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule deklaroi dje në Prishtinë se marrëveshjet me Beogradin do t’i mundësojnë  Kosovës hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.Ai kërkoi më shumë përpjekje në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformën zgjedhore dhe zhvillimin ekonomik dhe se vazhdimi i reformave dhe përmirësimi i marrëdhënieve janë dy anët e së njëjtës medalje.Ndërkohë gjatë vizitës të hënën në Beograd, Fule u tha udhëheqësve serb se data e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, varet nga përparimi në bisedimet me Kosovën.Prishtina dhe Beogradi thonë se po bëjnë përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende nuk ka një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.Prishtina ka deklaruar se është dakort për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por hedh poshtë çdo mundësi që ai të ketë fuqi ekzekutive. Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv.Zyrtarët evropianë kanë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, që mund t’u sigurojnë të dyja palëve datat e negociatave, Serbisë për anëtarësim, ndërsa Kosovës për marrëveshjen e stabilizim asocimit.