KE: S`kemi njohuri për një draft për veriun e Kosovës
Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë thënë se nuk kanë njohuri për draft-marrëveshjen sipas së cilës veriu i Kosovës, komunat veriore të banuara me shumicë serbe paraqiten si një territor autonom evropian përbrenda Kosovës.Zyrtarët e KE-së kanë theksuar se dokument i cili është publikuar në të përditshmen Blic nuk është përpiluar nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, e as nga bashkëpunëtorët e saj si një ofertë për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.Maja Kociancic, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme në BE tha se Komisioni Evropian nuk i komenton mediat e shkruara. Dokumenti është hedhur poshte edhe nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj si dhe kryeministri i Serbisë Ivica Dacic."Një marrëveshje dhe një dokument i tillë nuk ekziston. Nuk është dorëzuar asnjëherë, as në Prishtinë dhe as në Beograd. Kështu që ai dokument duhet të shihet si i pavlerë dhe jo si qëndrim zyrtarë i baroneshës Ashton, i Bashkimit Evropian", ka deklaruar Hoxhaj.Në dokumentin që kanë publikuar mediat serbe thuhet se palët kanë arritur marrëveshje për veriun të mos krijohet asociacioni i komunave serbe, por rajoni evropian, i cili do të kishte një lloj autonomie përbrenda Kosovës. Një zgjidhje e tillë, ka kohë që përmendet, por edhe kundërshtohet në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës, të cilat nuk njohin pushtetin e tretë apo atë të rajonalizimit.