Fule: Marrëveshja mes Prishtinës e Beogradit do t’i hapte rrugën MSA-së
Përparimet në dialogun politik do të jenë të rëndësishme për procesin e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule pas një takimi të përbashkët që zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçi dhe ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.Fule tha se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të jap rezultate konkrete në mënyrë që më pas Brukseli të marrë qëndrime pozitive në lidhje me aspiratat e të dyja vendeve drejt integrimit.Fule gjithashtu ka përshëndetur edhe disa përparime të Kosovës në fushën e integrimit, që kanë të bëjnë me plotësimin e kritereve afatshkurta të Komisionit Evropian në kuadër të përmbushjes së synimeve që Kosova të nis negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.“Ky përparim është rezultat i punës së madhe që ka bërë Kosova. Është me rëndësi që të mbahet kjo dinamikë dhe të vazhdoj puna në arritjen e përparimeve të tjera pasi në bazë të kësaj pune vendet anëtare gjatë qershorit do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Fule.Ai tha se arritja e marrëveshjes së mundshme më 20 mars në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, dhe zbatimi i saj në terren mund t’i hapë dyert një vendimi pozitiv të Brukselit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.“Tani është e nevojshme përkrahja e të gjithëve në interes të saj dhe gjithë qytetarëve. Pasi të jesh evropian do të thotë të jesh i nënshtruar edhe ndaj kompromiseve dhe konsensusit”, është shprehur Fule.Sidoqoftë, edhe këtë herë, Fule ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë guxim në përmbushjen e reformave zgjedhore, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimin e reformave tjera të nevojshme në kuadër të procesit të integrimit në BE