Greqia pezull, referendumi do mbahet. Eurogrupi: Do presim rezultatin

Nuk do të ketë më asnjë takim të Eurogrupit deri të hënën.Vendimi është marrë në telekonferencën e mbajtur pasditen e sotme në Bruksel nga Ministrat e Eurozonës, të cilët kanë rënë dakord që bisedimet të rifillojnë pas mbajtjes së referendumit ditën e dielë, duke mbështetur kështu qëndrimin e kancelares gjermane Merkel."Nuk do të ketë bisedime të mëtejshme në ditët e ardhshme, as në nivelin e Eurogrupit e as mes autoriteteve greke dhe institucioneve në lidhje me propozimet apo marrëveshjet financiare. Ne thjesht do të presim tani rezultatin e referendumit të dielën dhe do të marim parasysh rezultatin e referendumit. Më vjen shumë keq për situatën e krijuar duke patur parasysh vendosmërinë e fuqishme të popullit grek për të qenë pjesë e Evropës dhe për të mbetur në Eurozonë, për të cilat ne e mbështesim plotësisht" tha kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.Më herët gjatë ditës kryeministri grek Aleksis Tsipras në një konferencë drejtuar popullit të tij hodhi poshtë të gjitha spekulimet se ka kërkuar një paketë të tretë ndihme financiare, duke i bërë thirrje popullit grek të votojë kundër reformave të kreditorëve në referendumin e 5 korrikut.Ai tha se vota kundër në referendum nuk do të thotë refuzim i euros apo BE.“Jo, do të thotë presion i fortë për arritjen e një marrëveshje ekonomikisht të qëndrueshme për borxhin tonë dhe gjithashtu do të pengojë vazhdimisht përpjekjen tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Unë personalisht marr përgjegjësinë e plotë për gjetjen e një zgjidhje të drejtë pas përfundimit të procesit demokratik”.Përplasja mes Athinës dhe Brukselit vijon. Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se nuk do të negociohet përpara referendumit, referuar kërkesave në letrën e kryeministritTsipras dërguar gjatë natës së të martës në Bruksel.Në letër Tsipras pranonte një pjesë të madhe të kërkesave të kreditorëve, por Merkel tha se nuk ka marrëveshje me çdo kusht, duke lënë të kuptohet se tashmë është vonë.Në konferencën me kryeministrin italian, Mateo Renzi, Merkel tha se marrëdhëniet personale mes saj dhe Tsipras nuk janë dëmtuar si pasojë e zhvillimeve të fundit.Ndërsa Kryeministri italian u shpreh se vendimi për mbajtjen ereferendumit në Greqi është i gabuar.