Regjistrimi audio i seancave gjyqësore implementohet në Kukës, gjykata ka mungesë sallash
Në gjykatën e rrethit gjyqësore të Kukësit po implementohet regjistrimi audio i seancave, çka pritet të rrisë transparencën e proceseve dhe përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve gjyqësore. Megjithatë në Kukës, gjykata përballet me problemin e mungesës së ambienteve për zhvillimin e seancave.Pas Shkodrës, edhe Gjykata e Kukësit në bashkëpunim me USAID po implementon projektin për regjistrimin dixhital audio, të të gjitha seancave gjyqësore çka pritet që të rrisë transparencën për proceset.Por problem për gjykatën e Kukësit mbeten mungesa e ambienteve, për pasojë, sallat e proceseve civile janë tërësisht të papërshtatshme. Kjo gjykatë ka vetëm një sallë të madhe, në të cilën nuk mund të kryhen të gjitha seancat që shqyrton.Isuf Shehu: “Do të theksoja papërshtatshmërinë e sallave civile të gjykimit të çështjeve të cilat janë të vogla dhe ndikojnë në cilësinë e regjistrimit për shkak të indiferencës së dhënies”.Regjistrimin audio të proceseve, ekspertët e kanë konsideruar si shumë të domosdoshëm në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi i publikut për funksionimin dhe avantazhin e përdorimit të këtij sistemi.Entela Hoxhaj: “Kjo iniciativë ndikon në rritjen e transparencës dhe efektshmërisë në gjyqësorin shqiptar duke shtrirë sistemin RDA në çdo sallë gjyqi dhe në Shqipëri në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit duke përfshirë dhe ato të krimeve të rënda”.Sistemi i regjistrimit audio të seancave gjyqësore tashmë është shtrirë në 151 salla gjyqi të 33 gjykatave në vend, përfshi këtu dhe disa Gjykata Administrative.