Kina publikon raport mbi të drejtat e njeriut në SHBA
Në të njëjtën ditë që Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut në botë, Kina nuk ka vonuar të publikojë raportin e saj mbi të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara, duke vënë edhe një herë në dukje marrëdhëniet e tensionuara mes dy shteteve, që së fundmi janë përplasur mbi dominimin në detin e Kinës Jugore.Raporti kinez tregon se pavarësisht se Shtetet e Bashkuara komentuan mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në shumë vende të botës, nuk i kushtuan asnjë rresht problematikave të brendshme, ndërsa nuk ka përmendur rastet ku vetë amerikanë kanë shkelur të drejtat e njeriut. Raporti bazohet kryesisht mbi rastet e shumta gjatë muajve të fundit kur persona me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara janë vrarë nga oficerë policie të bardhë, por edhe te zbulimet mbi mënyrat e marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm nga ana e CIA-s.Por pavarësisht se Kina është një nga shtetet më të shënjestruara për të drejtat e njeriut në botë, gjendja në Shtetet e Bashkuara është kritikuar edhe nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare. Amnesty International publikoi në të njejtën ditë një raport mjaft të ashpër në të cilin akuzon qeverinë amerikane për standarde të dyfishta në raportim, pas akuzave për dhunën e policisë, vrasjen e civilëve me dronë luftarakë dhe torturave në kampet e burgimit të të dyshuarve për terrorizëm.Në gusht 2014, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, kritikoi qeverinë amerikane për dhunim të të drejtave të pakicave kombëtare, indigjenëve dhe emigrantëve.