Merkel: E shtuna, vendimtare për Greqinë
Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se takimi i së shtunës mes ministrave të financave të eurozonës do të jetë vendimtar për gjetjen e zgjidhjes për krizën greke.Në konferencën për shtyp pas ditës së parë të samitit të Bashkimit Europian, Merkel siguroi se krerët e vendeve të unionit nuk do të përfshiheshin në negociatat teknike, por vetëm do të inkurajonin palët për një zgjidhje të shpejtë. Por e pyetur nëse Gjermania ishte e gatshme t'i bënte lëshime në shumën që Greqia duhet të kthejë mbrapsht, kancelarja tha se nuk kishte asnjë mundësi tjetër për shlyerjen e borxhit përveç disbursimit të këstit të fundit të programit të shpëtimit prej 7,2 miliardë eurosh.I një mendje me Merkel ishte edhe presidenti francez, Fransua Holond, pasi institucionet dhe skuadra greke e negociatorëve prej ditësh janë shumë pranë marrëveshjes, por pa e finalizuar atë. Pa gjetur kompromisin e shumëpritur, Greqia nuk mund të paguajë detyrimet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar brenda afatit të caktuar, fundit të muajit, çka mund të sjellë vendosjen e kontrollit të kapitaleve të bankave greke sipas skenarit qipriot, duke drejtuar Athinën jashtë eurozonës dhe me shumë gjasa edhe jashtë Bashkimit Europian.Megjithatë, pavarësisht pranimit të disa kushteve nga ana e kabinetit Tsipras, radikalët e majtë, të cilët dolën për të protestuar të enjten në rrugët e kryeqytetit helen janë kundër marrëveshjes dhe kërkojnë që shkëputja nga unioni të shihet si mundësia e vetme për rimëkëmbjen e vendit.