Zbogar nuk pret zgjidhje afatgjatë nga dialogu Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka vlerësuar se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është duke u zhvilluar në Bruksel ka një qëllim tjetër parësor, krahas përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Qëllim kyç ka identifikuar anëtarësimin e të dyja vendeve në BE.Zyrtari evropian e ka thënë këtë në një përgjigje të shkruar për “Kohën Ditore”, në përpjekjen për të arsyetuar nevojën për zhvillimin e tre formave të dialogut të proklamuara prej tij muaj më herët. Krahas atij politik, gjashtë raunde të të cilit janë zhvilluar në Bruksel, Zbogar ka përmendur edhe dialogun ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut, si dhe një dialog të brendshëm ndërmjet serbëve të integruar në institucione të Kosovës dhe të atyre që nuk e njohin autoritetin e Kosovës. Asnjëri nga këto dy procese dialoguese nuk kanë nisur.Zbogar ka thënë se këto tre forma dialogu janë një kusht i domosdoshëm për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për shumë nga problemet ekzistuese në Kosovë.“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vazhdon dhe qëllimi themelor i tij është mundësimi i anëtarësimit si i Serbisë ashtu edhe i Kosovës në Bashkimin Evropian. Mirëpo, nuk do të ketë prosperitet afatgjatë përderisa Kosova të merret me të gjithë qytetarët e vet në bazë të ligjeve, standardeve dhe procedurave të njëjta ditore, derisa të mos arrijmë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Të gjithë e dimë se kështu nuk ndodh tani dhe se këtë gjë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe veriut mund dhe do duhej ta përmirësonte” ka thënë gazetës Zbogar.Kur i është referuar dialogut ndërmjet serbëve të veriut dhe të jugut, e ku ka përmendur edhe ata të lindjes e të perëndimit, kudo nëpër Kosovë, ka thënë të ketë në mendje barazinë për të gjithë qytetarët.“Tanimë kemi parë perceptime tejet të ndryshme të mundësisë për të jetuar bashkërisht dhe për aspiratat e bashkimit në BE ndërmjet serbëve, të cilët janë pjesë integruese e proceseve vendimmarrëse në Prishtinë, për shembull, dhe të atyre që jetojnë në izolim në very. Dialogu ndërmjet serbëve mund të ndihmojë në ndryshimin e disa prej këtyre perceptimeve, dhe, një gjë që është më e rëndësishmja nga të gjitha të përmirësojë kushtet e jetesës së tyre të përditshme në të gjithë Kosovën” ka thënë Zbogar.